menu

X-TERR

X-TERR (Still from the teaser)

X-TERR ka të bëjë me mundësinë artistike për ta transformuar një pjesë të veçantë territoriale brenda një territori "normal" që përjetohet duke lëvizur me veturë. Publiku ftohet të lëvizë me makinë përmes një instalimi audio-vizuel që ndodh në ambientet e jashtme si dhe brenda përmes zërimit të makinës. Ky projekt vë në pikëpyetje hapësirën e sigurt individuale. Çka ndodh kur hapësirat tona individuale hapen dhe shkrihen me hapësirën kolektive? Si ndikojnë këta kufij psikologjinë në gjendjen tonë mendore? Si ndryshon ky realitet nga ndikimi i forcave politike, tendencat globale, krizat e refugjatëve dhe sfidat ekonomike? Ne duam t'i shqyrtojmë qëndrimet tona kundrejt shoqërisë pasi ngjarjet të kenë ndodhur. Duam të eksplorojmë se si një proces i zgjedhjeve, një referendum, apo ndërrimet e fuqive vendimmarrëse ndërrojnë edhe rolet e qëndrimet tona në bashkëveprimin shoqëror. Çka ndodh kur ne e lëmë, qoftë edhe shkurtimisht, ‘territoret’ tona të sigurta. Duke lëvizur në këtë territor fizikisht dhe virtuelisht, vetura dhe hapësira ajrore e saj prej 12 metrash kub shndërrohet në një metaforë në rrota e lirisë sonë individuale brenda lirisë kolektive. Si ndihemi kur jemi të vëzhguar, të kontrolluar apo kur vetë qenia jonë vihet në pikëpyetje? Çka nëse identiteti ynë duhet të fshihet në një kontekst apo territor të caktuar? Si do ta ndërronte kjo rrethanë perceptimin tonë ndaj një territori nëpër të cilin kalojmë shpesh? Çka ndodhë brenda ndërtesave dhe vendeve që ne i shohim në lëvizjet tona të përditshme? Emri X-TERR rrjedhë nga kodi i përkohshëm ndërkombëtar i Kosovës – XK. X përfaqëson të panjohurën, neutralen, të pazgjidhurën dhe të përkohshmen, kurse TERR përfaqëson territorin. Ne duam të krijojmë një "juridiksion" artistik eksterritorial për publikun.

Pak historik
Gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, vetura ishte një lloj ambasade e lëvizshme e lirisë së kushtëzuar të familjeve tona. Brenda veturës kishte siguri, çlodhje, shaka, lojëra dhe këndonim së bashku gjatë udhëtimeve. Sidoqoftë, gjithçka ndalej kur hapej dritarja e veturës, zakonisht në punktet policore apo kalimet kufitare. Përveç shtëpive tona, vetura jonë kishte një lloj juridiksioni të përkohshëm eksterritorial të lirisë kur udhëtonim. Pas shumë kohësh, vetura si simbol i identitetit tonë po kthehet në jetët tona. Njëra nga marrëveshjet Kosovë-Serbi të arritura në Bruksel lejon lëvizjen e automjeteve kosovare drejt Serbisë me një kusht: mbulimin e simboleve shtetërore të Kosovës në targat e veturave. Në projektin tonë ne e ftojmë publikun të hyjë në X-TERR me po të njëjtin kusht.